
Sot në hapësirat e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Kuvendin e Sociologjisë, u mbajt një diskutim i hapur në kuadër të projektit “Luftimi i Ekstremizmit në Kosovë”, i cili mbështetet përmes programit Matra të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Ky takim mblodhi profesorë dhe studentë të Departamentit të Sociologjisë për të diskutuar mbi gjetjet e fundit të raportit hulumtues “Lufta kundër ekstremizmit në Kosovë” dhe rëndësinë e tij në kontekstin akademik dhe shoqëror.
Në kuadër të takimit, Alban Bokshi, menaxher i projektit dhe redaktor i raportit hulumtues, së bashku me Adelina Hasanin, autore e raportit, prezantuan gjetjet kryesore të studimit, duke ofruar një pasqyrë të hollësishme mbi përmbajtjen, metodologjinë dhe rëndësinë e tij. Po ashtu u diskutua më thellësisht edhe për format, narrativat dhe ndikimin e ekstremizmit të djathtë në Kosovë.
Pas prezantimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të angazhohen në një diskutim të hapur, ku u trajtuan aspekte të ndryshme të raportit, përfshirë metodologjinë e përdorur, analizën e faktorëve të ekstremizmit në Kosovë dhe strategjitë për parandalimin e tij. Studentët po ashtu shtruan edhe pyetje mbi temat e trajtuara.
Ky diskutim i hapur shënoi një hap të rëndësishëm në fuqizimin e dialogut akademik dhe përfshirjes aktive të studentëve në proceset hulumtuese, duke krijuar një platformë të vlefshme për diskutimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të temave me rëndësi sociologjike dhe shoqërore.