
Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: Tendencat, Sfidat dhe Kundërveprimet
Më 18 qershor, Sbunker, në bashkëpunim me organizatën Syri i Vizionit, mbajti diskutimin e radhës publik në qytetin e Pejës me temën “Analiza mbi ekstremizmin: roli i tij në nivel lokal dhe qëndrueshmëria qytetare”.
Diskutimi filloi me një prezantim nga Naser Lajqi, i cili dha një pasqyrë të përgjithshme të konceptit të ekstremizmit, nocioneve të tij dhe ndikimit të tij në nivel lokal. Para hapjes së diskutimit për pjesëmarrësit, Lajqi theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë qytetare si mjeti më efektiv për të luftuar ekstremizmin, duke inkurajuar një diskutim të frytshëm për sfidat lokale dhe zgjidhjet në luftën kundër ekstremizmit.

Pjesëmarrësit në këtë diskutim publik ishin të shumtë, duke përfshirë qytetarë, drejtues të komuniteteve lokale, drejtues të fshatrave, përfaqësues të shkollave, të rinj, udhëheqës fetarë e të tjerë. Ata patën mundësinë të përfshiheshin në diskutime të hapura, duke kontribuar dhe ndikuar në një ndërveprim kuptimplotë dhe produktiv të karakterizuar nga këndvështrime të ndryshme.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit të Sbunker-it “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: Trendet, Sfidat dhe Kundërmasat”, i mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë përmes programit Matra.