
Drejtësia tranzicionale, sfidat lokale dhe sigurimi i drejtësisë për viktimat
Diskutimi i parë publik me temë “Drejtësia tranzicionale, sfidat lokale dhe sigurimi i drejtësisë për viktimat” u mbajt në Gjakovë më 27 qershor. Ky është një nga aktivitetet publike me qytetarë në një sërë aktivitetesh në kuadër të projektit “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: trendet, sfidat dhe kundërmasat”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë përmes programit Matra.

Ligjërata u mbajt nga Ideal Zhaveli, i cili ngriti pyetje kritike për drejtësinë tranzicionale në kontekstin lokal. Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin të rinj nga komunitete të ndryshme në Gjakovë, duke reflektuar diversitetin etnik dhe gjinor të qytetit. Diskutimi u fokusua në analizimin e sfidave të drejtësisë tranzicionale dhe përpjekjeve për të garantuar drejtësi për viktimat, pavarësisht se cilit grup apo komunitet i përkasin.

Përveç temave të diskutuara, pjesëmarrësit ndanë edhe përvoja personale lidhur me sfidat me të cilat janë përballur në këtë aspekt deri më tani, duke filluar nga shkolla, familja e deri te mjediset sociale. Diskutimi nxiti një reflektim të thellë dhe hapi një dialog konstruktiv për këto çështje të rëndësishme për komunitetin lokal.