
Më 29 janar 2025, Sbunker organizoi konferencën “Luftimi i Ekstremizmit në Kosovë: Sfidat, Prirjet dhe Kundërmasat”, mbështetur përmes programit Matra nga Ambasada e e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Gjatë konferencës, prezantuam raportin tonë hulumtues, toolkit-in dhe një platformë të re online e dedikuar enkas për këtë projekt, të cilat synojnë të kontribuojnë në adresimin e kësaj çështjeje.
Ky material është konceptuar të shërbejë si një burim i vlefshëm për frontliners, hulumtues, studiues, organizata që punojne me gra, të rinjë, pakica si dhe profesionistë të fushës – duke ofruar analiza të detajuara, mjete praktike dhe një bazë të dhënash të dobishme për të kuptuar dhe adresuar ekstremizmin në Kosovë.
Ndër gjetjet kryesore janë:
– Etno-nacionalizmi në Kosovë rrjedh prej tregimeve paralele historike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, sidomos për luftën e viteve 1990. Të rinjtë shqiptarë zakonisht e shohin atë si luftë për çlirim nga shtypja serbe, ndërsa serbët si “konflikt” defensiv kundër kryengritjes shqiptare, duke e portretizuar veten si viktima.
-Lëvizjet anti-gjinore në Kosovë e portretizojnë feminizmin, të drejtat LGBTIQ+ dhe autonominë riprodhuese si kërcënime ndaj vlerave tradicionale. Këto narrativa promovohen përmes gjuhës publike të urrejtjes, fushatave në mediat sociale, dhe debateve parlamentare.
– Mizogjinia është e përhapur edhe tek të rinjtë, me narrativa në ngritje të cilat justifikojnë dhunën ndaj grave dhe kundërshtojnë barazinë gjinore. Mediat sociale i përforcojnë këto qëndrime, shpesh duke normalizuar dhunën dhe duke promovuar retorikë antigjinore të maskuar me norma kulturore e fetare.
– Janë duke u shfaqur narrativa fetare të cilat shpesh dalin të jenë të ndërlidhura me debatet rreth identitetit kombëtar e fetar.
– Të rinjtë e përdorin gjithnjë e më shumë fenë si mjet për formësimin identitar si reaksion ndaj kërcënimeve të perceptuara nga vlerat perëndimore, duke përfshirë të drejtat LGBTIQ+.
– Ndërsa rrjetet e organizuara ekstremiste fetare janë dobësuar për shkak të masave të rrepta nga institucionet e sigurisë së Kosovës, ideologjia nuk është zhdukur. Narrativat ekstremiste janë përshtatur, duke u bërë më subtile e më të individualizuara.
– Nuk është vërejtur ndonjë rritje e konsiderueshme e ekstremizmit të krahut të djathtë, por janë identifikuar disa faktorë rreziku që mund të kontribuojnë në shfaqjen e tij, siç janë: narrativat kundërthënëse rreth historisë, sfidat e qeverisjes, polarizimi i thellë shoqëror e politik, ngritja e narrativave dhe grupeve etno-nacionaliste, tendencat antigjinore, sulmet në rritje ndaj mediave konvencionale dhe “establishmentit”, etj.
– Platformat digjitale si TikTok, X, Facebook, Telegram dhe Instagram shërbejnë si tokë pjellore për rritje të ekstremizmit, me përhapjen e dezinformatave, gjuhës së urrejtjes dhe teorive konspirative. Sidomos të rinjtë e cenueshëm janë posaçërisht të rrezikuar.
– Mungesa e edukimit mbi diversitetin, të drejtat e njeriut dhe edukimin medial nxit tutje mosdurimin dhe nënshtrueshmërinë ndaj narrativave ekstremiste. Shkollat shpesh dështojnë t’u ofrojnë të rinjve shkathtësitë për të analizuar në mënyrë kritike dezinformatat, apo për t’u ballafaquar në mënyrë konstruktive me këndvështrime të ndryshme.
Për t’ju ofruar qasje të drejtpërdrejtë, më poshtë gjeni linqet:
- Website: https://ex-sbunker.org/
- Raporti: https://ex-sbunker.org/…/Sbunker-Report-Shqip_28.01…,
- Toolkit-i: https://ex-sbunker.org/…/Sbunker-Toolkit-Shqip_28.01…
Raporti dhe toolkit-i janë të disponueshëm për shkarkim në faqe, edhe në gjuhën angleze dhe serbe.