
Paralajmërim i Hershëm dhe Veprim i Hershëm Kundër Ideologjive Ekstremiste
Në Mitrovicë u mbajt punëtoria e radhës me temën “Vërejtja e hershme dhe veprimet e hershme kundër ideologjive ekstremiste”, aktivitet ky që synon adresimin e një prej sfidave më të mëdha për komunitetin lokal dhe më gjerë. Gjatë këtij seminari u diskutuan tema të rëndësishme si ekstremizmi në shkolla, ekstremizmi fetar, etnonacionalizmi, narrativat kundër gjinive dhe ekstremizmi politik. Pjesëmarrësit u fokusuan në identifikimin e shkaqeve dhe faktorëve të këtyre fenomeneve, si dhe në zhvillimin e mekanizmave dhe strategjive për të parandaluar format e ekstremizmit dhe radikalizimit.
Punëtoria mblodhi së bashku përfaqësues lokal nga komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt, udhëheqës fetarë, përfaqësues nga institucionet arsimore dhe zyrtarë nga Policia e Kosovës. Të gjithë kontribuan me përvojat dhe njohuritë e tyre, duke ndarë këndvështrimet mbi sfidat dhe zgjidhjet e mundshme për t’u marrë me këto ideologji ekstremiste.

Diskutimet theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve, liderëve fetarë dhe komunitetit lokal, si dhe nevojën për ndërgjegjësimin në shkolla dhe mjedise të tjera sociale. Përveç kësaj, puna në grup gjatë seminarit ndihmoi në shkëmbimin e ideve dhe perspektivave mes pjesëmarrësve, duke ofruar një pamje më të gjerë të qasjeve dhe mekanizmave të mundshëm.

Ky seminar u pa si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të komunitetit për të adresuar sfidat komplekse të ekstremizmit të djathtë dhe ideologjive ekstremiste. Aktiviteti u realizua me mbështetjen e programit Matra të Ambasadës së Holandës në Kosovë.