
Takimi i dytë avokues me përfaqësues të institucioneve
Sot zhvilluam takimin e dytë në serinë e takimeve avokuese në kuadër të projektit “Luftimi i Ekstremizmit në Kosovë”, i cili mbështetet përmes programit Matra të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Ky takim u mbajt në ambientet e Shërbimit Sprovues të Kosovës, ku patëm kënaqësinë të bashkëbisedojmë me Adem Shala, udhëheqës i Divizionit për Ekzekutimin e Masave dhe Dënimeve Alternative, dhe Gentiana Pira, zyrtare e lartë për të mitur, në të njëjtin divizion.
Gjatë takimit, ndamë një kopje të raportit dhe toolkit-it të publikuar në Konferencën Rajonale, e cila u mbajt më 29 janar 2025 në Prishtinë. Raporti dhe toolkit-i përmbajnë analiza të thelluara, udhëzime praktike dhe rekomandime mbi strategjitë efektive për parandalimin dhe trajtimin e ekstremizmit.
Diskutimi u përqendrua në gjetjet e hulumtimit, rëndësinë e udhëzimeve dhe rekomandimeve të raportit, si dhe nevojën për një bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional. Përfaqësuesit e Shërbimit Sprovues ndanë përvojat dhe sfidat me të cilat përballen në përpjekjet e tyre për të parandaluar ekstremizmin në Kosovë. Ata e mirëpritën raportin dhe toolkit-in si mekanizma të vlefshëm, të cilët do të mund t’i përdorin si referencë, në punën e tyre në të ardhmen.
Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit me institucionet kyçe në këtë fushë, duke krijuar mundësi të reja për veprime të përbashkëta dhe qasje më të efektshme në trajtimin e sfidave të ekstremizmit në Kosovë.