
Takimi i parë avokues me përfaqësues të institucioneve
Sot kemi nisur serinë e takimeve avokuese me përfaqësues të institucioneve kyçe në vend, në kuadër të projektit “Luftimi i Ekstremizmit në Kosovë”, i mbështetur përmes programit Matra të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.
Qëllimi i këtyre takimeve është prezantimi i gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit hulumtues të publikuar në konferencën rajonale të mbajtur më 29 janar 2025 në Prishtinë, si dhe shpërndarja e toolkit-it përkatës, i cili synon të ofrojë udhëzime praktike për institucionet dhe akterët e përfshirë në këtë fushë.

Sot zhvilluam një takim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, konkretisht në Divizionin e Policimit në Bashkësi, ku u pritëm nga nënkolonelja Zylfije Dema dhe major Ramadan Ahmeti. Gjatë këtij takimi, diskutuam mbi zbatimin e rekomandimeve të raportit dhe mënyrat e integrimit të tyre në politikat dhe praktikat aktuale të Policisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e Policisë shfaqën interesim për hulumtimin dhe u treguan të hapur për të eksploruar mundësi bashkëpunimi në të ardhmen. Ata theksuan rëndësinë e bashkërendimit ndërinstitucional dhe përfshirjes së komunitetit në parandalimin e ekstremizmit. Në këtë kontekst, ndamë disa kopje të raportit dhe toolkit-it, me synimin që ato të jenë një burim i dobishëm për strukturat policore në angazhimet e tyre në këtë fushë.
Në vijim, do të vazhdojmë takimet me institucione të tjera kyçe për të thelluar dialogun dhe për të mbështetur zbatimin praktik të rekomandimeve të dala nga hulumtimi.