Rreth Nesh
Pse ka rëndësi luftimi i ekstremizmit
Ne punojmë për të fuqizuar komunitetet, për të trajtuar ideologjitë ekstremiste dhe për të nxitur unitetin përmes bashkëpunimit dhe ndërgjegjësimit.
Rreth Nesh
Ne punojmë për të fuqizuar komunitetet, për të trajtuar ideologjitë ekstremiste dhe për të nxitur unitetin përmes bashkëpunimit dhe ndërgjegjësimit.
Historia jonë
Ky projekt ka lindur në kontekst të zhvillimeve më të gjera kontinentale, të luftës në Ukrainë dhe të ngritjes së grupeve të ekstremit të djathtë në mbarë Evropën e madje edhe në botë, ku duket se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një tërheqje të madhe për to.
Disa raporte ndërkombëtare të viteve të fundit kanë ngritur shqetësimin se demokracia, të drejtat e njeriut, pluraliteti dhe diversiteti i mendimeve, dhe liritë bazike janë të kërcënuara dhe në rënie në rajon, duke tërhequr vërejtjen se madje ka kthim të gjuhës dhe atmosferës së viteve nëntëdhjetë që u paraprinë luftërave në ish-Jugosllavi.
Ka ngritje të retorikës nacionaliste e populiste, dhe ngecje të proceseve si drejtësia tranzicionale, mungesa e rezultateve e të cilave vetëm sa i ushqen pakënaqësitë popullore dhe i bën qytetarët pre të ideologjive ekstremiste.
Duke parë këtë kërcënim të drejtpërdrejtë për rajonin tonë, mënyrat sesi shpesh ideologjitë ekstreme ndërveprojnë me akterë qeveritarë e institucionalë, sesi këto ideologji e ushqejnë dhe depërtojnë në diskursin publik, duke mësuar dhe u përshtatur për të krijuar një bazë më të gjerë përkrahjeje, duke i dhënë e duke marrë nga diskursi dominues apo mainstream-i, e në këtë mënyrë, pa u vënë re dhe gradualisht duke i normalizuar qëndrimet dhe gjuhën ekstreme deri në pikën sa bëhet pothuajse e pamundur të vërehet zhytja në ideologji përjashtuese dhe ekstremiste, ne e zhvilluam këtë projekt që t’i luftojmë këto ideologji në dy fronte:
Nën 1, përmes angazhimit me komunitetet lokale në tërë Kosovën me ç’rast kemi mbajtur pesë diskutime publike me organizata joqeveritare, me organizata të grave dhe të të rinjve, me komunitetet pakicë e organizatat që i përfaqësojnë ato.
Në Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë e Veriut, e Prizren kemi diskutuar për drejtësinë tranzicionale dhe rëndësinë e saj për paqen e qëndrueshme në Ballkan, për sigurinë dhe integrimin e komuniteteve pakicë, për ideologjitë anti-gjinore dhe pakicat tjera etnike dhe kulturore, për konceptet dhe format e ekstremizmit të dhunshëm në nivel lokal, e për konfliktet mes gjeneratave dhe dhunën në shkolla e mediat sociale.
Në punëtoritë tërë-ditore që kemi mbajtur në Mitrovicë të Jugut, në Prishtinë e Gjilan jemi takuar e kemi bashkëbiseduar me ata që gjenden në vijën e parë të ballafaqimit me ideologjitë ekstreme, si mësues, drejtor shkollash, psikologë, policinë e komunitetit, punëtorët socialë, udhëheqësit komunitarë e fetarë dhe organizata e individë të tjerë që janë ndër të parët që bien në kontakt me ideologjitë ekstreme dhe janë të parët që duhet të ballafaqohen me to.
Këto takime me qytetarë kanë qenë të rëndësishme për ne për ta kuptuar drejtpërdrejt nga ta se cilat janë narrativat dominuese që kërcënojnë kohezionin shoqëror dhe cilat janë veprimet që mund të ndërmerren. Në këtë aspekt, projekti ynë ka adoptuar qasjen e paralajmërimit të hershëm dhe veprimit të hershëm ndaj ideologjive ekstremiste politike.
Dhe nën 2, përveç angazhimit me komunitetet lokale, projekti ka paraparë edhe zhvillimin e një hulumtimi që për qëllim kishte identifikimin dhe analizimin e trendeve dhe ideologjive të:
I) ekstremizmit vendor, qoftë fetar, etno-nacionalist apo të formave të tjera të intolerancës, që çojnë në gjuhë të urrejtjes dhe dhunë ndaj grave, komunitetit LGBTQI+ dhe pakicave të tjera;
II) të rrymave dhe lëvizjeve të ekstremit të djathtë të cilat nxisin urrejtje ndëretnike dhe dhunë; dhe
iii) ndikimin e dëmshëm të jashtëm dhe të aktorëve të huaj me interesa të veçanta për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe pengimin e integrimit të tij në strukturat euro-atlantike.
Si hap të tretë, projekti parasheh angazhimin me politikëbërës, me institucionet arsimore dhe të rinjtë për ngritjen e vetëdijes dhe avokimit për politika më proaktive, që krijojnë qëndrueshmëri shoqërore e institucionale.
Raporti përmban rekomandime mjaft të detajuara se çfarë politikash duhet ndërmarrë e çfarë qasje duhet adoptuar, të cilat janë të ndara veçan për institucionet shtetërore dhe qeverinë, veçan për mediat e shoqërinë civile, e veçan për institucionet arsimore e të gjithë akterët e tjerë me rol dhe përgjegjësi shoqërore.
Projekti ka mëtuar ta skenojë situatën dhe ta jap një fotografi të përgjithshme rreth ekstremizmit të djathtë dhe ideologjive ekstremiste në Kosovë, duke identifikuar disa prirje, rryma e rreziqe, si dhe duke dal me disa konkluza e rekomandime sesi të veprohet.
Faelnderojmë Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Kosovë për përkrahjen financiare që e ka dhënë përmes programit Matra për ta zhvilluar këtë projekt dhe që na e ka besuar këtë projekt kaq të rëndësishëm dhe aktual.
Dy fjalë rreth hulumtimit
Hulumtimi nuk e ka trajtuar çështjen e ekstremizmit të djathtë vetëm nga prizmi i sigurisë dhe kërcënimeve e rreziqeve të sigurisë, por është shtrirë në një domen më të gjerë social, politik, kulturor e ekonomik. Ajo që kemi kuptuar është se shumë çështje sociale janë të lidhura ngushtë me ekstremizmin e djathtë dhe ideologjitë ekstremiste në përgjithësi. Edhe pse këto ideologji nuk veprojnë si një trup i unifikuar apo i drejtuar nga një doktrinë e vetme, ato shpesh përputhen në linjat e përgjithshme të besimeve dhe kanë pika të përbashkëta në disa çështje kyçe.
Në këtë aspekt kemi shikuar dhunën me bazë gjinore, si dhe lëvizjet ose ideologjitë ‘anti-gender’ të cilat veç janë prezentë në disa vende të rajonit, synimi i të cilave është kufizimi i të drejtave të grave, i të drejtave të komunitetit LGBTQI+, të imigrantëve, të të huajve, e të pakicave të çdo lloj natyre. Nëse e marrim parasysh gjuhën që i përcjellë këto shohim se në Kosovë ka elementë të tillë edhe pse nuk shohim ndonjë lëvizje apo ideologji të mirë organizuar.
Kemi shikuar gjendjen në shkolla, jo aq për cilësinë e arsimit sa për bullizmin që ndodh në to, për dhunën që nxënësit ushtrojnë ndaj njëri tjetrit, për keqpërdorimin e rrjeteve sociale për shantazh e bullizëm.
Kemi shikuar rrjetet sociale për dhunën ndaj grave e grupeve LGBTQI+, por janë diskutuar edhe dhomat e lojërave si vende ku ndodh indoktrinimi i të rinjve me nacionalizëm e urrejtje ndër-etnike.
Problem edhe më i madh sesa statusi socio-ekonomik ka rezultuar të jetë izolimi social, politik e intelektual që e përjetojnë shumë zona në Kosovë, të shkëputura nga trendët që dominojnë në Prishtinë ose në përgjithësi në zonat urbane në Kosovë.
Gjithashtu kemi kuptuar që ekstremizmi fetar vazhdon të jetë shqetësim i cili siç duket është ende prezent, ose të paktën në disa nivele ekziston si shqetësim mjaft i madh.
Pra ka një ndërlidhje mes gjithë këtyre dukurive të cilat tregojnë në drejtim të rritjes së një lloj konservatorizmi dhe ideologjive ekstremiste që i cenojnë dhe i kufizojnë të drejtat dhe liritë njerëzore, e ndonjëherë kanë synim edhe përmbysjen e vetë rendit demokratik apo rrënimin e vlerave demokratike mbi të cilat është ndërtuar kjo shoqëri. Pamja është mjaft komplekse dhe ballafaqimi me to aspak i lehtë. Prandaj, hulumtimi ka synuar të japë një kontribut drejt të kuptuarit më të thellë të këtyre dukurive dhe identifikimit të mënyrave për ballafaqim efektiv me to.
Metodologjia
Metodologjia e hulumtimit kombinon studimet e raporteve dhe të terrenit, për të trajtuar ekstremizmin që lind brenda vendit, me fokus tek ekstremizmi etno-nacionalist, anti-gjinor, fetar dhe ideologji të tjera ekstremiste që promovojnë gjuhën e urrejtjes dhe dhunën ndaj grave, personave LGBTQI+ dhe pakicave.
Hulumtimi i raporteve përfshiu një shqyrtim të thuktë të studimeve ndërkombëtare dhe vendore mbi ekstremizmin në Kosovë dhe më gjerë në rajon, duke theksuar narrativat, prirjet dhe organizatat e lidhura me ekstremizmin e të djathtës së skajshme dhe ideologjitë ekstremiste. Ky shqyrtim i bën bashkë kornizat teorike dhe konceptualizimet globale të ekstremizmit dhe ideologjive të ekstremit të djathtë, për ta vënë fokusin te konteksti specifik post-konflikt i Kosovës. Përmes analizimit të faktorëve unikë socio-politikë, ekonomikë dhe historikë të Kosovës, studimi identifikon dinamikat kryesore që nxisin ekstremizmin dhe ekstremizmin e të djathtës së skajshme..
Puna në terren përfshiu shtatëmbëdhjetë (17) intervista me psikologë, edukatorë, pjesëtarë komuniteti, gazetarë, ekspertë të sigurisë, aktivistë rinorë e palë të tjera të interesit nga grupe
dhe komuna të ndryshme etnike. Përveç këtyre, u mbajt edhe një grup fokusi në Prishtinë, i cili angazhoi të rinj të moshave 21–36 vjeç nga komunat si Kamenica, Prishtina, Gjakova, Vitia, Prizreni e Deçani. Kjo ofroi një sërë këndvështrimesh
gjeografike dhe demografike mbi ekstremizmin, çështjet gjinore si dhe marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë. Edhe pse planet për ta mbajtur një fokus-grup me të rinjtë serbë në veri të Kosovës nuk u realizuan, hulumtimi ofron
vështrime kritike mbi bazat ideologjike, ndikimet socio-kulturore si dhe narrativat dominuese ekstremiste.
Të dhëna janë mbledhur edhe nga pesë diskutime publike të mbajtura me gratë, të rinjtë dhe komunitetet jo-shumicë në pesë komuna anembanë Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Pejë, Gjakovë, Prizren e Ferizaj, si dhe nga tri punëtori të organizuara me veprues të vijës së parë, që përfshinë edukatorë, punonjës socialë, policinë e komunitetit dhe prijës fetarë në rajonin e Prishtinës, Mitrovicës dhe Gjilanit, të cilat përfshinë edhe persona nga komunat përkatëse fqinje.
Kosova përballet me sfida të rëndësishme me ngritjen e ideologjive ekstremiste, etno-nacionalizmit dhe narrativave të drejtuara nga urrejtja. Këto tendenca jo vetëm që prishin harmoninë e komunitetit, por gjithashtu minojnë përpjekjet drejt pajtimit dhe të drejtave të njeriut.
Ne synojmë të krijojmë një Kosovë më të sigurt dhe më gjithëpërfshirëse
Nëpërmjet bashkëpunimit dhe inovacionit, ne marrim hapa proaktivë për të parandaluar ekstremizmin dhe për të promovuar paqen:
Së bashku, ne mund të ndërtojmë një Kosovë ku paqja dhe përfshirja lulëzojnë. Eksploroni burimet tona, mësoni për punën tonë dhe bëhuni pjesë e ndryshimit.